Inspektoriati i Kontrollit Ushqimor dhe AKU, kontroll i përbashkët tek furrat e bukës

Në vijim të kontrolleve që organizohen në stinën e verës, gjatë ditës së sotme është zhvilluar një kontroll i përbashkët i Inspektoriatit te Kontrollit Ushqimor me mbështetjen e Autoritetit Kombetar te Ushqimit në zonën e Rrugës së “Kavajës” deri në Kombinat tek furrat e bukes së kësaj zone. Objekti i kontrollit të sotëm ishin kushtet higjieno-sanitare në lidhje me ruajtjen dhe tregtimin e produkteve ushqimore, evidentimin e problemeve në lidhje me sigurinë dhe cilësinë e produkteve ushqimore dhe marrjen e masave për eliminimin e fenomeneve që cënojnë shëndetin dhe interesat e konsumatorit dhe konkurrencën e ndershme në treg. Inspektimi i sotëm u përqendrua në tëgjithë problematikën e prodhimit të bukës. Pikërisht për këtë arsye kontrolli u perqendrua në lëndën e parë, dokumentacionin shoqërues siç është certifikata e origjinës dhe ajo e cilësisë, kushtet e magazinimit, të ruajtjes dhe përpunimit dhe cilësinë e sigurinë e produktit përfundimtar. Nga e puna e kryer në terren ka rezultuar se furrat e bukës, të cilat ishin objekt kontrolli i Inspektoriatit të Kontrollit Ushqimor dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, kishin kushte të mjaftueshme të sigurisë ushqimore. Nga ana tjetër u kontrolluan dhe kushtet higjieno-sanitare të ambienteve ku prodhohet buka, kushtet tekniko-teknologjike të këtij procesi, kushtet higjieno-sanitare të mjeteve të punës, kushtet higjenike dhe pajisja e stafit të këtyre operatorëve të biznesit me librezë shëndetësore dhe përgatitjen e tyre profesionale. Përparësi të veçantë pati dhe inspektimi përsa i përket eliminimit të faktorëve që çojnë në shfaqjen e sëmundjes së patates, e cila në kushtet e temperaturave të larta bëhet me evidente dhe kërkon një përkujdesje të veçantë. Nga ana e inspektorëve u pa me përparësi ky problem dhe iu kërkua të gjithë operatorëve që të zbatohen me rreptësi normat tekniko-teknologjike dhe higjieno-sanitare për të bërë të mundur parandalimin e kësaj sëmundjeje. Disa prej subjekjeteve të cilat ishin objekt i kontrollit kishin të afishuar një “kujtesë“ mbi sëmundjen e patates dhe kishin të mirëinformuar stafin e punës mbi këtë problematikë. Gjithashtu u morën mostra për të analizuar lëndën e parë në rastin konkret miellin, si dhe produktin përfundimtar, bukën. Këto kontrolle do të shërbejnë si një fazë përgatitore gjatë kalimit të funksioneve të inspektimit nga strukturat e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve të qeverisjes vendore, tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. AKU ndërtohet mbi një koncept solid reforme: ai ka shkrirë në një 5 inspektorate. Reforma e cila po ndërmerret aktualisht me kalimin gradual të funksioneve, synon ta bëjë atë serioz, të ndershëm dhe kompetent. Kjo reformë synon gjithashtu, që AKU dhe inspektoratet e vendit në tërësi, t’i nxjerrë nga arbitrariteti. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka një nga misionet më të rëndësishme në vend, garantimin e sigurisë ushqimore si dhe vendosjen e standardit të ushqimit. Në tërësinë universale të standardeve, asnjë standard nuk është më i rëndësishëm, se sa ai i ushqimit. Kështu që ky mision ka rëndësi jetike për çdo qytetar, për çdo familje, për shoqërinë dhe për Shqipërinë në tërësi. Është e rëndësishme të theksojmë se kontrolli do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vazhdim për të garantuar sigurinë ushqimore.